Pasditen e djeshme në Elbasan është zhvilluar “Mitingu Ballkanik” me pjesmarrjen e sportistëve nga 7 vende dhe pikërisht nga Shqipëria, Kosova, Bosnja, Greqia, Maqedonia, Italia dhe Bullgaria. Në rradhët e kombëtares shqiptare kanë qenë dhe disa sportistë të Vllaznisë si Izmir Smajlaj, Bajram Muça, Gledis Halluni e Ergys Gjeçaj. Ka spikatur padyshim sportisti Bajram Muça i cili ka zënë vendin e parë në dy gara, atë të 100 m ku ka arritur kohën 10″97 ndërkohë që në 110 m/p me kohën 14″70. Me këto rezultate ky sportist është shpallur edhe atleti më i mirë i Mitingut. Po ashtu, vend të parë ka zënë edhe Kampioni i Europës Izmir Smajlaj në garën e kërcimit së gjati ku ka arritur të kërcejë 7.82 m ndërkohë që po në këtë garë, atleti tjetër i Vllaznisë Ergys Gjeçaj ka kërcyer 7.25 m dhe është renditur i dyti ndërsa në vend të tretë ka qenë një tjetër atlet i Vllaznisë Gledis Halluni me 6.86 m. Ky i fundit ka zënë vend të tretë edhe në kërcimin trehapësh me 14.24 m. Kësisoj, atletët shkodranë shfaqin edhe njëherë tjetër një formë shumë të mirë sportive duke dominuar mbi të gjithë atletët e tjerë të kombëtares shqiptare sepse vetëm ata kanë arritur të zënë vende të para.

© shkodrasport.com