Haris Lika prej pak javësh është rikthyer sërish në krye të një ekipi siç është Basania. Ish-trajneri i Veleçikut tashmë është drejtuesi i skuadrës nga Bushati dhe nisja ka qenë me të vërtetë pozitive.

Për këtë ka folur edhe vetë ish-mesfushori që duket i emocionuar për këtë hap të ri në karrierën e tij. Po ashtu ai ndalet edhe tek Vllaznia ku thekson se ky është momenti për të treguar cilësitë dhe të pretendojë fitmin e kampionatit.

Lika tha: “Jam i emocionuar për këtë aventurë të re tek Basania. Gjej rastin të falenderoj drejtuesit dhe ata që më besuan. Është një rikthim për mua pas një periudhe shkëputje. Shkëputje që nuk duhet të jenë shumë të gjata për trajnerë të rinj siç jam unë në këtë rast. Po punohet fort prej 2-3 vitesh tek Basania dhe objektivat janë të mëdha.

Kam pasur një nisje shumë pozitive me skuadrën dhe në këtë javë do jemi kundër Klosit. Një ekip me të vërtetë i fortë dhe që një sukses përballë tyre mund të na ndihmojë në objektivin tonë për vendin e dytë. Sepse do ishte një pozicion që do na ndihmonte të tentonim ngjitjen një kategori më lart. Kanë ngelur edhe 6 ndeshje dhe gjithçka mund të ndodhë deri në fund.

Vllaznia? Besoj se dyshja Miloti-Sinani do sjellin një humor tjetër në ekip. Skuadra ka cilësi, e dimë të gjithë. Por duhet ta tregojnë në fushën e lojës në këto javë që kanë mbetur. Besoj se skuadra do reagojë dhe do e tentojë deri në fund fitimin e titullit kampion. Besoj se edhe kalendari mund të jetë favorizues për kuqeblutë dhe duhet shfrytëzuar në maksimum”.
Endri ÇINARI