Ekipi i Basanias e ka mbyllur kampionatin e Kategorisë së Tretë me disa paraqitje shumë të mira në ndeshjet e fundit. Në këtë kampionat, ku ajo mori pjesë për herë të parë këtë vit, në ndeshjet e fundit ose më saktë në pjesën e dytë të sezonit futbollistik, trajneri shkodran Haris Lika mori drejtimin e këtij ekipi, duke rikuperuar në njëfarë mënyre edhe pikët e lëna në dy fazat e para të kampionatit.

Kështu, falë punës së tij profesionale, por edhe mbështetjes së presidentit Ermir Shimaj, rezultatet e ekipit të Basanias kanë ardhur në rritje nga ndeshja në ndeshje. Ndërkohë, vetë trajneri Haris Lika, në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport” u shpreh besimplotë se ky ekip në të ardhmen do të bëjë mirë me paraqitjet e tij dhe do të ketë synime ambicioze. Më poshtë, mund të lexoni intervistën e tij të plotë për gazetarin Maringlen Zhivani.

-Lika, sapo mbyllët sezonin me Basanian në vendin e katërt në renditje, i kënaqur me rezultatet që nga ardhja juaj në drejtim apo realisht prisnit më shumë?

Sigurisht që, pretendimet ishin për më shumë, por mos të harrojmë që kur mora drejtimin e skuadrës, ekipi kishte vetëm katër pikë nga 24 të mundshme dhe e renditur ishte në vendin e fundit. Nuk mund të jem i lumtur, sepse ekipi nuk arriti objektivin sezonal, por ndihem mirë që me kontributin tim, gjërat rrjedhën për mirë.


-Ka pasur rivalitet këtë vit ky kampionat i Kategorisë së Tretë?

Gjithmonë do të ketë për sa kohë të ketë ekipe me Bashki dhe president sportdashës si i joni, i cili na ka dhënë garanci në vazhdimësinë e ekipit me shpenzimet e tij.

-Si ishte bashkëpunimi me presidentin Ermir Shimaj këtë periudhë kohore?

Personalisht, gëzoj rrespekt të madh për të. Ka qenë shumë korrekt, bashkëpunues dhe i papërtueshëm në shërbim të ekipit. Kontributorë të tillë në shërbim të komunitetit, Bashkia aty duhet medoemos t’i mbështesë.

– Lika, mendoni se po të ishit që nga fillimi i kampionatit në krye të Basanias, ky ekip do të ishte ngjitur sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Dytë?

Nuk mund të jap një përgjigje konkrete, sepse realisht edhe trajneri para meje, Simoni, ka bërë një punë kolosale dhe e përgëzoj. Unë mendoj se nga ecuria që pati ekipi ndeshjet e fundit, besoj se më me pak kujdes në fillim të kampionatit, do të kishim folur ndryshe tani në fund.


-Tashmë, si e shikoni të ardhmen e këtij ekipi, do të ketë ndryshime dhe afrime për sezonin e ardhshëm?

Patjetër që, ekipi ka nevojë për afrime të futbollistëve të tjerë që kanë “peshë” në këtë sport. Kjo është një kategori, ku për të qenë dominant, nevojitet eksperienca më shumë, e gërshëtuar me freskinë e një të riu.

-Cilat do të jenë pretendimet e Basanias për sezonin e ardhshëm apo është ende herët për të folur?

Si fillim, dua të pushoj pak, pastaj nëse do jem unë trajneri i ekipit të Basanias në sezonin e ardhshëm, do mundohem të afroj më shumë eksperiencë në ekip, që të “gatojmë” ngritjen në Kategorinë më lart, siç e meriton ky ekip.
Maringlen ZHIVANI