Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, foli pas mbledhjes në FSHF në lidhje me vendimin e marrë që kampionati të rifillojë në datën 3 qershor, teksa deklaroi se ai dëshironte që gara të ndërpritej farë pasi sipas tij, Shqipëria nuk i ka kushtet e duhura.

Gjithsesi UEFA ka dhënë ultimatum që kampionati të rifillojë, pasi në të kundërt, penalizohen ekipet që shkojnë në Europë.

“E vështirë që në Shqipëri të plotësohet protokolli, por do mundohemi. Do ketë kosto më të madhe. Shpresojmë ta realizojmë. Nuk është e vonuar data 3, qershor nuk mund të fillonte më shpejt. Unë doja të ndërpritej fare për vete. UEFA nuk e lejon që të ndërpritet sepse digjen klubet që shkojnë në Europë.

Partizani është jashtë Europë, por edhe kushtet e Shqipërisë, janë të vështira, ndaj opinioni im ishte që të ndërpritej. Por UEFA i penalizon klubet që shkojnë në Europë, ndaj do bëhet, por kushtet në Shqipëri janë shumë të vështira”, u shpreh Demi.