Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, vlerëson mbrojtësin Berat Gjimshiti, dhe skuadrën e tij, Atalanta. Për teknikun veteran, Gjimshiti është një nga yjet më të mirë të Serisë A.

Për momentin nuk mund ta bëjë punën e tij, por vetëm të udhëtojë pak. Gjithsesi, Edi Reja, nuk mund të jetë krejtësisht i izoluar, edhe sepse është tepër i njohur dhe gazetarët kanë nevojë për mendimet e tij. Një intervistë, trajneri i Shqipërisë, e jep për të përditshmen më të madhe sportive të Italisë, “La Gazeta dello Sport”, dhe flet mes të tjerave edhe për mbrojtësin e kombëtares, Berat Gjimshiti.

“Po flasim për një lojtar tashmë të stabilizuar në Serinë A, është një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit dhe ka një rol të rëndësishëm në sukseset e Atalantës sezonet e fundit. Ka fituar besim dhe është rritur në nivel. Gjimshiti është sot një tjetër lojtar në krahasim me atë që ishte kur mbërriti tek Atalanta, dhe unë isha trajner”.

Reja e pati futbollistin e tij në 2016, ndërsa Gjimshiti fitoi përvojë duke luajtur i huazuar edhe tek Avelino dhe Benevento. Ai përballoi edhe goditjen kur u la jashtë finaleve të Europianit, po në 2016, nga ish-trajneri i kombëtares Gianni De Biasi, ndonëse kishte luajtur në ndeshjet eliminatore dhe kishte shënuar gol ndaj Armenisë.

Me trajnerin Gasperini, mbrojtësi shqiptar nga Kosova nuk ka humbur asnjë ndeshje si titullar, madje ka shënuar edhe gola, përveçse ka qenë shumë i fortë në prapavijë. Atalanta po shkëlqen në Serie A, por sidomos në Champions, ku ka mbërritur në çerekfinale, dhe pret hedhjen e shortit e rifillimin e ndeshjeve.

Trajneri i Shqipërisë thotë se skuadra nga Bergamo ka arritur suksese të merituara, që mund të vazhdojnë gjatë, ndërsa nuk i trembet kalendarit të ngjeshur, pasi thotë se një ekip i tillë është mësuar me presionin. Reja, ndërkaq, gjykon se me rifillimin e sezonit, skuadrat duhet të qëndrojnë të grumbulluara nëpër hotele, për të shmangur rrezikun e infektimit nga koronavirusi. /abcnews/