Haris Lika, tashmë trajner i Basanias ka analizuar së fundmi ndeshjen e Vllaznisë kundër Partizanit. Sipas tij skuadra u shfaq me dy tablo kundër Partizanit, duke shfaqur një pjesë të parë të dobët, por një ngritje të niveli në pjesën e dytë.

Lika thekson se tashmë ekipi është në “siklet” ku ndodhet para dy finaleve që përcaktojnë sezonin. Sa i përket të ardhmes së tij, ai theksoi se është i hapur për bisedime për të vijuar në drejtimin e Basanias.

Lika tha: “Shikuam një ndeshje kundër Partizanit që mund ta cilësoj me dy tablo. Kjo pasi në pjesën e parë ekipi nuk shfaqi thuajse asgjë, përjashto këtu fillimin e lojës. Por skuadra dukej e çorientuar dhe pa ndonjë plan se si të mposhte kundërshtarin. Lojtarët më tepër kërkojnë zgjidhje individuale sa sa ato ekipore. Dhe ndoshta këtu fillon problemi i lojës.

Por në pjesën e dytë duke parë se nuk kishte çfarë të humbte, ekipi u hodh në sulm dhe mund edhe të barazonte. Tashmë skuadra është në “siklet” dhe para përgjegjësisë për të arritur suksesin.

Janë dy ndeshje shumë delikate dhe mund të cilësohen finale. Skuadra duhet të tregojë karakterin e duhur në këto momente. Pasi më shumë vlen zemra dhe grinta në këtë moment të kampionati ku asgjë nuk është e sigurtë.

E ardhmja ime ? Besoj se kemi bërë një punë të mirë në këtë fund sezoni tek Basania. Me aq mundësi sa kemi pasur kemi marrë rezultate pozitive dhe pse jo në të ardhmen të tentohet diçka edhe më e madhe.

Kjo pasi projekti i kësaj skuadre është ambicioz dhe afat gjatë. Unë jam i hapur për bisedime për të vijuar tek kjo skuadër sepse është një ambient shumë familjar dhe i duhur për të punuar. Besoj se shumë shpejt mund të kem ndonjë vendim mbi të ardhmen time”.
Endri ÇINARI