Gjysma e parë e kampionatit tashmë është mbyllur dhe padyshim që është koha për të bërë edhe analizën e saj. Si në çdo ekip tjetër, edhe tek Vllaznia një analizë e tillë ka filluar të bëhet.

Trajneri Hasan Lika në prononcimin e tij për mediat pas ndeshjes me Veleçikun, i pyetur nëse është i kënaqur me ecurinë që skuadra e tij ka patur, është përgjigjur: “Ndoshta duhej të kishim tre pikë më shumë në renditje.

Megjithatë edhe me pozitën aktuale besoj se jemi në rregull. Megjithatë gara sa vjen e vështirësohet dhe natyrisht që shtatë pikët e diferencës aktuale me ndjekësin më të afërt, janë por edhe nuk janë të mjaftueshme, nisur nga fakti se siç dihet, pas përfundimit të fazës së dytë të kampionatit, pikët përgjysmohen.

Prandaj dhe na duhet të vazhdojmë të bëjmë mirë në çdo ndeshje për të arritur objektivin që kemi”. Tre pikët që “i mungojnë” Hasan Likës duhet të jenë ato të humbjes ndaj Ilirisë, një humbje që kuqeblutë nuk e kishin llogaritur dhe nga mënyra si u zhvillua loja, nuk e meritonin atë.

Vllaznia aktualisht ka 35 pikë pas 14 ndeshjesh të luajtura, ku ka arritur 11 fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje, ndërsa golaverazhi është 21-5.
© shkodrasport.com