Është një Fabio Paratici në 360 gradë, ai që foli për “Sky Sports”, në raundin e parë të “Il Codice”. Rubrikë, që përfshin pesë intervista me drejtorë sportivë të Seria A (të ardhshmit do të jenë Piero Ausilio i Interit, Igli Tare i Lazio, Monchi i Romës dhe Cristiano Giuntoli i Napolit). Këtu më poshtë është intervista e drejtorit bardhezi.

Cili ishte sekreti i çiftit Marotta-Paratici?
Unë mendoj se ishim shumë mirë në të krahasuar, por edhe plotësues të njëri-tjetrit. Vetë merresha me një pjesë strikte teknike, me marrëdhëniet me agjentët, duke identifikuar lojtarët.

Në fund, për lojtarët e identifikuar nga ju vendoste Marotta…
Po, bisedoja me të, sepse është një person shumë i ditur, i cili e njeh mjaft mirë futbollin. Ne themi se gjëja më e mirë ishte fakti i përshtatjes së të dyve. Kemi vazhduar kështu deri në fazën e fundit, ku Marotta ndërhyri me përvojën e tij dhe më ndihmoi të bëja sa më pak gabime.

Si është merkatoja e Paratici? A është e vërtetë që ju jeni ai, që shkoni te shumë lojtarë, në të njëjtën kohë, madje edhe pak për t’i shqetësuar, apo për të bërë konkurrentët të paguajnë më shumë?

Po, por unë mendoj se kjo është diçka e çdokujt. Në rastin tim nuk është shumë strategji. Unë jam i obsesionuar me njohjen e lojtarëve. Shoh, lexoj e dëgjoj menaxherët, apo njerëzit që më informojnë. Bëhem menjëherë kurioz të di për lojtarin që më sugjerojnë. Kjo është diçka që më stimulon shumë.

Cila ishte blerja që ju ka angazhuar më së shumti?
Mendoj se ishte Tevez. Ne donim ta ringjallnim Juven dhe kontaktuam Tevez, edhe pse nuk ishim të kualifikuar për Ligën e Kampionëve. Lojtarët e mëdhenj, kur nuk luajnë në Ligën e Kampionëve, nuk të vijnë kollaj. Por, Tevez tha menjëherë: Po, edhe nëse nuk jeni në Ligën e Kampionëve, do të vij te Juve. Më tej, marrëveshja nuk u finalizua fillimisht, për arsye të tjera, ekonomike e kështu me radhë. Por, gjithmonë kemi mbajtur kontakte me të, sepse ka qenë gjithmonë obsesioni im për të sjellë Tevez te Juventusi.

Po me Cristiano Ronaldon?
Me Cristianon ishte shumë e thjeshtë, sepse e kishte në mendje të vinte te Juventusi. Nuk kishim nevojë ta bindnim. Besoj se rreth datës 25 maj, pas përfundimit të Ligës së Kampionëve, nisi konkretizimi i gjithçkaje. Ai vendosi menjëherë dhe tha: Dua vetëm Juventusin. Ne u takuam me Mendez për Cancelo. Ai na befasoi të gjithëve, kur na tha: Ju nuk e besoni, por Cristiano dëshiron të vijë te Juventusi. Unë iu përgjigja: Nuk është se nuk e besoj, por mua më duket e vështirë të jem në gjendje të mbaroj këtë operacion.

Presidenti Agnelli është një person shumë i pranishëm në jetën tonë të përditshme, sepse është gjithmonë me ne, ose të paktën gjithmonë i arritshëm. Mund të haset lehtë. Kjo nuk ishte e planifikuar, por i thashë atij: A ke mundësi të më dëgjosh deri në fund. Ju e kuptoni çfarë situatë është krijuar në zyrën e tij, kur e pyeta nëse do të blejë Cristiano Ronaldon.

Ky është një lajm sportiv, por pas tij ka shumë gjëra të tjera. Ai e kuptoi menjëherë. Mendoj se u desh një minutë për të kuptuar se ai tashmë po mendonte në atë drejtim. Kur u largova më tha: Më lejo të mendohem një, ose dy ditë, por më thirri pas 3 orësh. Për të hartuar të gjitha kontratat, ne u mbyllëm në një vilë në liqenin “Maggiore”, një ditë të tërë, me të gjithë avokatët e Juventusit dhe lojtarin.

Merkatoja e Contes dhe ajo e Allegrit…
Conte ishte i lidhur me funksionalitetin e lojtarit. Ai kishte një skemë të lojës dhe, me të drejtë, ne duhet të përpiqeshim t’i gjenim lojtarë funksionalë për të. Allegri, në këtë kuptim, është më elastik. Jo vetëm se ka disa sisteme loje, është më i hapur, por ka më shumë zgjidhje. Pra, merkatoja me të zgjerohet pak më shumë. Unë e konsideroj veten me fat, vetëm se kam qenë në gjendje të shoh çdo ditë, për 10 vite, futbollistët më të mëdhenj të dekadës së fundit. Nga Pirlo, Vidal, Pogba, Dani Alves e deri te Buffon.

Dhe tani duhet fituar Liga e Kampionëve?
Është ambicia jonë, por jo një obsesion.