Vllaznia ka fituar sot 1-0 ndaj Dinamos dhe përveçse ka marrë trepikëshin e rradhës, ka përfituar edhe nga humbja e Erzenit ndaj Korabit. Në këtë mënyrë, kuqeblutë tashmë janë shkëputur plot 11 pikë nga shijakasit dhe rruga drejt Superligës tashmë është gjithnjë e më afër.

Vetë trajneri Lika nuk ka dëshirë të mendojë kështu. Ai kërkon të tregohet i matur megjithëse kundërshtarët tashmë janë “një kilometër larg”.

Duke folur për gazetarët pas ndeshjes, ai është shprehur: “Ka qenë një fitore e vështirë kjo ndaj Dinamos. Sidomos në pjesën e parë nuk kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe përpos kësaj edhe kundërshtari na ka vënë në vështirësi. Por në të dytën gjërat ndryshuan, luajtëm më mirë në krahë dhe për rrjedhojë, erdhi edhe fitorja.

Vërtetë jemi shumë pikë larg Erzenit, por nuk dua të mendoj ende për Superligën. Duhet të vazhdojmë të vlerësojmë maksimalisht çdo sfidë të mbetur deri në fund sepse e patë edhe vetë që ndaj Dinamos, pati shenja nënvlerësimi.

Që nga fillimi i sezonit e deri më sot, na pyesin gjithnjë për Superligën dhe kuptohet që kjo është detyra jonë, por duhet të bëjmë kujdes deri në fund”.
© shkodrasport.com