Ndeshje me shumë emocione ka qenë ajo e zhvilluar pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në mes ekipeve të volejbollit për meshkuj në mes Vllaznisë dhe Tiranës.

Në fund kanë qenë shkodranët që kanë fituar 3-2 por duhet thënë se tek ta është ndjerë jo pak eliminimi në Kupë e kjo gjë kishte lënë pasojat e veta tek skuadra.

Seti i parë është fituar nga miqtë me rezultatin 29-27. Vllaznia korigjon diçka në setin e dytë të cilin e fiton 25-20 duke barazpeshuar gjithçka dhe ndërkohë fiton edhe të tretin 25-16. Krijohet përshtypja se kuqeblutë do ta mbyllin ndeshjen në setin e katërt por nuk do të ndodhte kështu.

Bardheblutë luajnë më mirë dhe e fitojnë atë me shifrat 25-23 dhe në këtë mënyrë çojnë ndeshjen në set final. Në këtë të fundit, Vllaznia luan më mirë dhe e fiton atë 15-10 duke fituar edhe krejt ndeshjen 3-2.

Në këtë mënyrë, ekipi shkodran forcon pozitat e tij në vendin e dytë të renditjes megjithatë ajo që konstatohet është se kanë ende për të përmirësuar në lojë sepse vetëm kështu mund të synojnë fitimin e titullit kampion.
© shkodrasport.com