Rubin Hebaj ishte një lojtarët, nga i cili duhej të dëgjonim shumë suksese, por shkodrani i talentuar nuk po tregon akoma cilësitë e tij dhe në një lidhje me Super Sport, tregon se e kanë ndaluar dëmtimet e shumta. Pikërisht këta të fundit nuk po e lejojnë sulmuesin e Teutës të kalojë në një kampionat më të fortë se Kategoria Superiore.

STËRVITJA– Jam munduar të bëj përgatitje në kushtet e shtëpisë, por është shumë e vështirë për një futbollist që të mos stërvitet në fushë. Nëse kampionati fillon tani shpejt, do të jetë më e lehtë, sepse vetëm 10 ndeshje kanë mbetur, por po u vonua nisja, rritet edhe ngarkesa, pasi menjëherë pas fundit të këtij sezoni, do nisin përgatitjet për sezonin e ri.

OBJEKTIVI I TEUTËS- Ne duam një vend në Kupat e Europës dhe sigurisht do të provojmë të fitojmë Kupën e Shqipërisë. Personalisht dua të shënoj sa më shumë dhe të jem në formë të mirë.

DËMTIMET- Kam rreth një vit e gjysmë që shoqërohem nga dëmtime të vazhdueshme, të cilat nuk më kanë lënë të arrij formën më të mirë, por tani jam drejt një rikuperimi të plotë dhe shpresoj të luaj me vazhdimësi, që të përmirësoj formën.

DOPIETA NË DERBIN E VITIT TË KALUAR- I kujtoj vazhdimisht ato gola, pasi isha në stol dhe Çinari ishte ai që kishte më shumë besim te unë. Më vjen mirë që u futa dhe shënova dy gola, që ndihmuan ekipin të marrë fitoren.

PARTIZANI- Kalova një kohë të mirë te “të kuqtë” dhe do të doja të transferohesha në një kampionat më të fortë, por dëmtimet nuk po më lejojnë.

BEKIM BALAJ– E kam kushëri të largët dhe më ka porositur vazhdimisht që të stërvitem rregullisht dhe të kem besim te vetja, pasi të tjerat vijnë vetë më pas. /vipsport/