Gjatë këtij sezoni është munduar të bëjë më të mirën por padyshim që mungesa e përvojës ka ndikuar në këtë drejtim dhe sulmuesi shkodran Rubin Hebaj ndoshta nuk e ka justifikuar plotësisht besimin e stafit teknik.

20 vjeçari ka shënuar 4 gola gjatë kampionatit të fundit dhe pritshmëritë mund të kishin qenë më të mëdha por edhe kaq nuk është keq. Megjithatë tashmë duhet parë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Siç dihet, Hebaj është nën kontratë me sllovenët e Domzhale të cilët e huazuan për një sezon tek të kuqtë. Tashmë periudhës së huazimit po i vjen fundi dhe ende nuk është e qartë nëse ai do të vazhdojë periudhën e huazimit apo do të kthehet në Slloveni.

Ekziston edhe një opsion tjetër, ai i blerjes përfundimtare të kartonit të tij dhe Domzhale nga sa mësohet, kërkon 50 mijë euro për këtë gjë.

A do ta shpenzojë këtë shumë Partizani apo jo, kjo nuk dihet. Mund të themi vetëm që ende nuk ka një vendim të drejtuesve të të kuqve në lidhje me këtë çështje.
© shkodrasport.com