Ditën e sotme kanë qenë planifikuar të luhen në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës ndeshjet e kthimit të kampionatit kombëtar të hendbollit për të rritur. Duhej të ishin tre ekipe që do të luanin në këto takime por në fakt, ai i Universitetit “Marin Barleti” nuk është paraqitur dhe kësisoj ndeshjet ndaj tij janë fituar në tavolinë me rezultatin 10-0 sipas rregullores.

Në ndeshjen tjetër, atë në mes Vllaznisë dhe Cërrikut, hendbollistët shkodranë kanë fituar me rezultatin e thellë 42-20. Protagonistët kryesorë të këtij suksesi kanë qenë sportistët Xhulio Dushi që shënoi 11 gola në këtë takim, e po ashtu edhe Xhuljano Hasani me 10 gola ndërsa ka spikatur edhe 18 vjeçari premtues Kledi Kruja me 5 gola. Ky i fundit është edhe anëtar i ekipit U19 të Shqipërisë dhe konsiderohet një lojtar me shumë të ardhme.

Ndeshja mësohet se është karakterizuar nga një lojë fair-play prej të dy ekipeve dhe ndërkohë trajneri i Vllaznisë Artan Durra ka patur mundësi të aktivizojë edhe disa lojtarë të rinj.

Me katër fitore të arritura, Vllaznia zuri vendin e parë në grupin A dhe ka fituar kësisoj të drejtën për të dalë në finale ku do të ndeshet me ekipin e vendit të parë të grupit B. Me shumë gjasë, kundërshtari i saj do të jetë ekipi i Elbasanit.

Ndeshja e parë sipas kalendarit të Federatës përkatëse do të luhet më datë 18 në Elbasan (gjithnjë nëse kualifikohet Elbasani) ndërsa e kthimit më datë 26 maj në Shkodër. Objektivi i Vllaznisë padiskutim që do të jetë fitimi i titullit kampion këtë sezon dhe deri tani gjërat po shkojnë ashtu si duhet.
© shkodrasport.com