Për një sezon të gjatë plot pengesa dhe peripeci, vetëm Jonuzi, Heriç, Boshnjaku dhe Alivoda në mesfushë, nuk mjaftojnë. Vllaznia është në kërkim të alternativave të tjera në mesfushë, ku pas largimit të Ardit Krymit kanë mbetur shumë hapësira. Në fakt, Vllaznisë i duhet një tjetër mesfushor me eksperiencë, për të mbuluar hapësirën e lënë nga 26-vjeçari.

Burime ekskluzive për “Shkodra Sport” bëjnë me dije se, një futbollist i pëlqyer nga drejtuesit e kuqeblu është Herald Marku. 26-vjeçari është analizuar nga drejtuesit kuqeblu dhe mendojnë se profili i tij është i duhuri dhe po vijojnë bisedimet që ai të rikthehet tek Vllaznia.

Gjithsesi, nuk është aspak e lehtë momentalisht. Me gjithë dëshirën e madhe të Vllaznisë për të firmosur me një futbollist të tillë, si Herald Marku, kontrata e tij është problemi kryesor në gjithë këtë çështje. Ai i është bashkuar klubit të Partizanit në verën e 2021 dhe ka edhe një vit kontratë.

Gjithsesi, fakti që në sezonin e fundit nuk ka qenë titullar, e shtyn të largohet. Që nga vera e kaluar, Marku ka luajtur vetëm 27 ndeshje në kampionat me Partizanin dhe ka shënuar vetëm dy gola.

Megjithatë, klubi i Partizanit nuk e sheh të arsyeshme ta lërë të lirë 26-vjeçarin. Gjithsesi, në ditët në vazhdim pritet të ketë zhvillime të reja, teksa tek Vllaznia janë në pritje të Herald Markut.
Maringlen ZHIVANI