Vllaznia arriti të fitonte në javën e 12-të të Superligës në shifrat 1-0 kundër Partizanit. Vendosi një gol i shënuar nga Liridon Latifi që në minutën e 29-të të takimit. Ky sukses vijon formën e shkëlqyer të shkodranëve që i konfirmon në vendet e para të renditjes dhe me synimin për vendin e parë.

Por nëse ishte emri i Latifit që u shkrua tek tabela e shënuesve, një “hero” tjetër ishte në fushë që “vulosi” këtë 3 pikësh. Ai ishte Ardit Krymi, që në minutën e 65-të të ndeshjes vendosi të “sakrifikonte” veten e tij. Në atë moment nga një top i humbur në mesfushë, Vllaznia u gjet zbuluar në mbrojtje.

Partizani po shkonte rrezikshëm drejt portë, ku Cara kishte një gol të sigurtë në këmbët e tij. Por nuk mendonte kështu Ardit Krymi i cili bën një ndërhyrje me qëllim për të ndaluar sulmuesin kavajas. Është i kuq direkt dhe nuk ka kundërshtime nga askush.

Krymi pranon vendimin, por tifozët janë në “delir” dhe mbështesin gjestin e 25-vjeçarit. I cili pavarësisht se la ekipin me një lojtar më pak, bëri atë çfarë duhej që të mos pësohej gol. Sakrifica e Krymit do vlente pasi skuadra do mbronte me fanatizëm avantazhin.

Ndonjëherë edhe gjeste të tilla pavarësisht se janë të ndëshkueshme me të kuq nga arbitri janë të nevojshme. Kjo edhe për të treguar edhe karakterin dhe kurajon që duhet të ketë një ekip për të arritur tek sukesi me çdo mënyrë të mundshme.
Endri ÇINARI