Atletika në Shkodër është një sport me shumë tradita dhe jo vetëm me ekipin e meshkujve. Në vitet ’60- ’70, ekipi i femrave nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Feti Dizdari pati arritje të jashtëzakonshme duke u shpallur 17 herë kampion i Shqipërisë.

Kjo traditë vijoi edhe në vitet ’80 dhe gjysmën e viteve ’90 me atlete si Vera Bregu, Arbana Xhani etj të cilat patën arritje të mëdha sportive me rezultatet e tyre. Më pas, heshtje dhe një boshllëk i krijuar ndërkohë që në vitet e fundit ka përmirësim të dukshëm në këtë drejtim teksa tashmë kemi edhe një kampione me ekipin e të rriturave siç është Erisa Rrasa.

Por jo vetëm kaq. Me moshat po spikasin një brez vajzash të talentuara të cilat premtojnë shumë për të ardhmen. Në këtë foto kemi tre prej tyre të cilat po bëjnë paraqitje shumë të mira në garat e moshave. Bëhet fjalë për Elois Heta, Roah Bashli dhe Amela Trumçi.

Të tre këto sportiste nën drejtimin e trajnerit Jetmir Jahaj stërviten çdo ditë me shumë pasion dhe duket se e ardhmja do të flasë për ta. Janë atlete të cilat po spikasin si në garat e kërcimeve, por edhe ato të shpejtësisë dhe nëse atyre u bashkohen edhe disa atlete të tjera në vijim, me siguri që brenda pak viteve mund ta shohim edhe ekipin e të rriturave të Vllaznisë kampione të Shqipërisë.(www.shkodrasport.com)