Java e tetë e kampionatit të kategorisë së parë ka dhuruar në kalendarin e saj përballjen Veleçiku- Burreli. Një sfidë që pritet me interes nga të dy skuadrat megjithatë sot Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë një vendim të rëndësishëm për të.

Ajo nuk do të luhet ditën e shtunë siç ndodh zakonisht me ndeshjet e kësaj kategorie, por një ditë më pas. Pra të dielën në orën 14.00.

Arsyeja është e thjeshtë: Në fushën “Reshit Rusi” ku po i luan këtë sezon ndeshjet e saj skuadra koplikase, ditën e shtunë do të luajë edhe Vllaznia ndaj Vorës. Për këtë arsye, Sektori i Garave ka marrë vendimin që ndeshja Veleçiku- Burreli të shtyhet për 24 orë më vonë.

Pavarësisht kësaj, objektivi i koplikasve nuk ndryshon. Ato do të kërkojnë fitoren e katërt dhe ngjitjen përsëri në vendet e para të tabelës së klasifikimit.

Në “Reshit Rusi” sivjet djemtë e drejtuar nga Besnik Duli kanë patur një ecuri të shkëlqyer duke i fituar të tre ndeshjet e luajtura aty. Tashmë do kërkojnë të kartën dhe me 12 pikë padyshim që Veleçiku do ngjitet sërish në klasifikim.
© shkodrasport.com