Në Kharkiv të Ukrainës është hedhur sot shorti i Kampionatit Europian të boksit për të rritur, kampionat në të cilin do të marrë pjesë edhe kombëtarja shqiptare e përbërë nga tre sportistë. Natyrisht që kemi të bëjmë me një eveniment shumë të rëndësishëm ku marrin pjesë 234 sportistë nga i gjithë kontinenti dhe kuptohet që për tanët do të jetë e vështirë për të kaluar në tetëshe, që më pas sjell edhe kualifikimin për në Botëror.

Sipas shortit të hedhur sot, Krenar Zeneli që do konkurrojë në peshën 56 kg, teksa sipas shortit të hedhur, ai ka kaluar automatikisht në turin e dytë ku do të ndeshet me një kundërshtar nga Danimarka dhe ndeshja do të zhvillohet më 20 qershor. Sakaq, boksieri shkodran Arjon Kajoshi që konkurron në peshën 75 kg, do të ndeshet me një kundërshtar nga Anglia pas dy ditësh, më 18 qershor. Ndërkohë boksieri tjetër, Emiliano Xhediku që konkurron në peshën 91 kg do të ndeshet nesër ndaj një sportisti nga Gjeorgjia. Sipas trajnerit të kombëtares tonë Jozef Sermi, të tre këto takime konsiderohen shumë të vështira megjithatë ai ka besim se boksierët tanë, falë stërvitjeve që kanë bërë prej disa muajsh, do të tentojnë deri në fund për të arritur objektivin që kanë, futjen në tetëshen e më të mirëve, çka do t’u japë atyre mundësinë e kualifikimit për në Kampionatin Botëror që zhvillohet në Gjermani këtë vit.

www.shkodrasport.com