Dëshira e drejtuesve të Vllaznisë së basketbollit për ta nisur kampionatin e ri në Shkodër, është plotësuar. Ky ka qenë verdikti i shortit të hedhur mesditën e sotme në ambjentet e Federatës Shqiptare të Basketbollit, ku pjesmarrës ka qenë edhe presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi.
Ekipi kuqeblu do të presë të shtunën e ardhshme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin debutues në Kategorinë Superiore të basketbollit shqiptar, Barleti Eagles. Një mundësi e mirë kjo që kuqeblutë t’i bëjnë një nisje me fitore kampionatit të ri.
Sipas shortit të përcaktuar sot, Vllaznisë i ka rënë gogla me numrin 2 dhe sipas skemës së përcaktuar, kundërshtari i saj në ndeshjen e parë të kampionatit do të jetë pra Barleti. Dy çiftet e tjera të javës së parë janë Goga Basket- Tirana dhe Teuta- Partizani.
Ekipi shkodran i drejtuar nga trajneri Gospodinov ka pretendime serioze për të qenë në mes më të mirëve të kampionatit dhe rivalët kryesorë të saj pritet të jenë dy ekipet më të mira të sezonit të kaluar, Goga Basket dhe Teuta. Sidomos kampionia në fuqi, Goga, duket se edhe për kampionatin e ri është formatuar për të qenë sërish pretendentja kryesore për titull, megjithatë Vllaznia, Teuta dhe pse jo edhe Tirana e Partizani do të mundohen ta rivalizojnë.
Ekipi kuqeblu është forcuar me pesë lojtarë amerikanë ndërkohë që ka ardhur edhe shkodrani i njohur Shestani dhe bashkë me lojtarët e tjerë që kanë qenë pjesë e ekipit, pritet të rivalizojnë denjësisht për fitimin e trofeve në sezonin e ri.