Historia e dashurisë mes Gonzalo Higuainit dhe Juventusi duket se është e destinuar të zgjasë për një kohë të gjatë.

Këtë e lë të nënkuptohet babai i “El Pipitas”, që hedh poshtë zërat e fundit pas udhëtimit të sulmuesit në vendlindje.

“E gjithë kjo që thuhet nuk është e vërtetë. Mund t’ju them një gjë: Gonzalo do të qëndrojë te Juventusi, sepse ai ende ka një vit e gjysmë kontratë dhe do ta respektojë atë. Do ta përfundojë ciklin e tij sikurse është parashikuar në kontratën aktuale”, deklaroi i ati i argjentinasit.

Pas vendimit të sulmuesit për të qëndruar në Argjentinë, ku ai ndodhet nga 19 marsi për t’i qëndruar pranë nënës së tij të sëmurë, zërat për të ardhmen e tij janë shumëfishuar dhe madje është folur për një përfundim të parakohshëm të kontratës.

Këtë skenar babai i tij, Jorge, e mohon kategorikisht, duke thënë: “Gonzalo do të mbetet te Juventusi. Pastaj, pas kësaj periudhe, ai do të marrë vendimin që e gjykon më të përshtatshëm, sepse ai do të jetë futbollist i lirë. Ky është realiteti dhe ajo që do të ndodhë. Por, në parim, nuk është qëllimi i tij të largohet nga ai klub që ai e do shumë dhe ku njerëzit e duan”.