Friday, January 9, 2026
FAQJA E PARE HISTORIHISTORI/ Nji foto e kaherëshme...

HISTORI/ Nji foto e kaherëshme…

Shkruar nga Rrok Ndoja

Kjo foto modeste, e shkrepun në Parkun Sportiv “Studenti” Tiranë (pranë kryqëzimit të rrugës së Elbasanit) në nandor 1963, para ndeshjes së basketbollit midis të rijve të “Vllaznisë” dhe të “Dinamos”, që e nxora prej albumit familjar, më ngjalli kujtime. Këtu jam në moshën 15 vjeçare (ma i vogli në moshë i ekipit).

Nga e majta në të djathtë: Muhamet Sokoli (trajneri i ynë, ish basketbollist i spikatun i Tiranës, i Shkodrës, i Kombëtares, zotni i vërtetë, i matun, i drejtë, i dijtun, i dashtun), Alfons Kovaçi (kapiten i skuadrës), Nikolin Pali, Mehdi Vekshari, Bashkim Gjyrezi, Domenik Maka, Ivan Lacaj, Namik Çela, Nikolin Noshi, Rrok Ndoja dhe Rauf Xhyheri.

Gjatë atyne viteve që merreshim me sport kemi rritë dhe forcue shoqninë, edukatën, fizikun. Lëvizja nëpër qytetet kryesore të vendit na krijonte avantazhe me njoftë deri diku ato qytete, por edhe me u shoqnue e miqësue me sportista të tjerë jo shkodranë. Mbaj mend që kur ekipet e ”17 Nandorit”, “Partizanit”, “Lokomotivës”, “Skënderbeut” etj. vinin në Shkodër, të shtunën mbasdite, nji ditë para ndeshjes që zhvillohej të dielën, bashkë me trajnerin delnim të gjithë lojtarët tek agjencia e autobuzave dhe pritnim pjestarët e ekipit kundërshtar, iu uronim atyne mirëseardhjen (por jo fitoren!) dhe i shoqnojshim deri tek hoteli.

Kështu banin edhe ekipet e tjera me ne kur na shkonim në qytetet e tyne. Asht për t’u vlerësue shumë kjo sjellje xhentelmenësh që udhëhiqej prej trajnerëve, edukatorë të mirëfilltë, si Muhamet Sokoli, Njazi Lleshi, Dhimitraq Goga, etj.. Më duket se sot gjeste të tilla quhen të tejkalueme, të demodueme, të arkivueme nji herë e mirë…

Të këtij brezi ishin lojtarët R. Topalli, F. Borova, R. Avrami, G. Levonja, A. Asllani etj. (“17 Nëntori”), A. Fagu, B. Pëllumbi, G. Bekteshi, D. Përmeti, Y. Eveli, A. Dheri etj. (“Partizani”), N. Elezi, N. Profkola, I. Begolli, V. Agaraj etj. (“Lokomotiva”), V. Lera, F. Bitincka, Zh. Zengo, etj. (Skënderbeu)… Kujtime të bukura.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments