Vllaznia do luajë ditën e mërkurë ndoshta ndeshjen që mund të vendosë fatet e sezonit. Luhet gjysmëfinalja e kthimit të kupës së Shqipërisë kundër Partizanit. Takim që do zhvillohet në “Loro Boriçi” në orën 17:45 ku si kuqeblutë ashtu edhe “demat” shohin shpëtimin e edicionit.

Ndeshja e parë u mbyll mes polemikash në rezultatin 0-0 dhe tashmë gjithçka do vendoset ne kryeqendrën e veriut. Por kjo ndeshje e kthimit duket si nje “deja vu” e para 15 viteve.

Në sezonin 2006-07 do ishte hera e fundit që Vllaznia dhe Partizani do përplaseshin në kupë. Edhe në atë edicion ndeshja e parë që vlente si çerekfinale do mbyllej në shifrat 0-0 në Tiranë. Në Shkodër do ishte Partizani që do merrte kualifikimin për në gjysmëfinale të atij edicioni të kupës.

Ndeshja në “Loro Boriçi” do përfundonte në shifrat 1-1. Ku fillimisht do ishte Nikolla Vuckevic që i jepte avantazhin Vllaznisë që më pas do arrihej nga një gol i Pavlin Dhëmbit të Partizanit. Dhe në atë periudhë kur goli në fushë kundërshtare vlente, “demat” kualifikoheshin në bazë të atij rregulli.

Tashmë historia duket disi më ndryshe pasi goli në fushën kundërshtare nuk ka vlera. Duhet ta fitosh ndeshjen që të kualifikohesh dhe në këtë aspekt tek Vllaznia janë të qetë. Sepse mjafton fitorja dhe shkodranët do luajnë në finalen e kupës së Shqipërisë për të dytin sezon rradhazi.