Në Shkodër funksionojnë ekipe të ndryshme të akademive të futbollit. Një ndër këto akademi është edhe Scutari, e cila për hir të së vërtetës gjatë viteve të fundit është shndërruar në një strehë, ku stërviten me dhjetëra fëmijë të kategorive të moshave të ndryshme të Shkodrës.

Në fakt, ndër këto ekipe ai që po spikat më shumë është ekipi U17, i cili renditet në vendin e dytë në kampionatin e Kategorisë së Parë të kësaj grupmoshe. Në një prononcim të dhënë për portalin “Shkodra Sport”, drejtuesi i kësaj akademie, njëherësh edhe trajneri i Scutari U17, Erjon Hasaj flet për ecurinë e mirë të ekipit të tij, por edhe cilësinë e prodhimit të talenteve në ekipin e grupmoshës, U17.

“Këtë vit kemi bërë një kampionat të mirë me U17 dhe më e rëndësishmja është loja e bukur, që kemi zhvilluar. Edhe pse kemi lënë disa pikë rrugës, prapë jam i kënaqur me ecurinë e ekipit.

Po të vazhdojmë me këtë ritëm kampionatin, pse jo ky ekip ka potencial për të dalë në Superiore, edhe pse Play-Off ka për të qenë i vështirë, sepse në grupin tjetër konkurrojnë edhe ekipe si Dinamo dhe Partizani.

Ecuria pozitive të bën të ndjehesh mirë, sepse merr frytet e punës së gjatë të një viti dhe aq më tepër, kur ekipi ka dëshirë të madhe për të punuar.

Shpresojmë që këtë vit të ngjitemi në Superiore, por më e rëndësishme është të punojmë sa më mirë me fëmijët, që në të ardhmen të bëhen njerëz dhe futbollistë të mirë.

Lojtarë të veçantë ka, por është më mirë të mos përmendim emra. Edhe shifrat flasin vetë, pasi në 18 ndeshje, kemi shënuar 59 gola dhe kemi pësuar 17 gola. Në ekipin tonë, ka 4-5 lojtarë, që në të ardhmen kanë mundësi të luajnë futboll”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri dhe drejtori i Akademisë Scutari, Erjon Hasaj.
Maringlen ZHIVANI