Vllaznia nuk arriti të triumfonte mbrëmë në ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë. Kuqeblutë u mposhtën me rezultatin 3-2 nga Tirana, në ndeshjen që u zhvillua në “Air Albania”. Kjo pas 90 minutave plot emocione, ku kishte spektakël, gola dhe luftë sportive. Por që në fund pa si fitues bardheblutë, në një takim që ndoshta u vendos nga episodet.

Mbështetja si gjithmonë në stadium nuk i mungoi aspak skuadrës shkodrane. Ishin tifozët e shumtë që kishin udhëtuar nga kryeqendra e veriut, por edhe nga jashtë vendit që kishin ardhur me qëllimin për të parë ndeshjen. Atmosfera që prodhuan tifozët shkodranë, me në krye ultrasit e kuqebluve ishte me të vërtetë elektrizuese dhe patjetër që futbollistët nuk e kanë ndjerë në asnjë moment që po luanin në Tiranë.

Patjetër që ndaj kësaj tifozerie ka respekt maksimal. Që pavarësisht se skuadra e tyre e zemrës humbi, qëndruan deri në fund për të duartrokitur lojtarët kuqeblu. Ky një gjest që ndodh rrallë në futbollin tonë. Po ashtu ekipi nuk tregoi një lojë të dobët përballë Tiranës, pavarësisht disfatës në fund. Edhe tifozët kuqeblu janë kërkues ndaj ekipit sepse duan që çdo titull të vijë në Shkodër.

Megjithatë ata treguan edhe njëherë që në Shqipëri janë të veçantë. Dhe se edhe ndeshjet jashtë qytetit e mbështesin skuadrën në maksimum. Dëshira e të gjithëve është që Vllaznia të jetë kampion në fund të sezonit e për këtë arsye është e sigurt që ata do e ndjekin skuadrën ndeshje pas ndeshje. Duke nisur që nga dueli i javës së 13-të që luhet të hënën kundër Egnatias në stadiumin “Loro Boriçi”.
Endri ÇINARI