Të dielën në “Reshit Rusi” është luajtur ndeshja e javës së 11-të të kampionatit të femrave në mes Murlanit dhe Vllaznisë. Ekipi shkodran ka fituar me rezultatin 0-6, falë golave të shënuar nga Lufo, Gjini, Doçi (2) dhe Berisha 2.

Pas kësaj ndeshje, ka folur për gazetarët edhe trajneri i Vllaznisë, Nikolin Leka, i cili ndër të tjera ka thënë se

“Ekipi është i formatuar për të zhvilluar ndeshje sa më të mira, për të shkuar drejt sukseseve dhe ne e kishim përgatitur këtë ndeshje me imtësinë më të madhe dhe normalisht që pas gjithë asaj përgatitje, prisnim edhe një lojë të mirë. Unë jam i kënaqur shumë nga vajzat, nga loja e vajzave.

Jo vetëm nga rezultati, por edhe nga grinta e dëshira e tyre. Nga lëvizjet në fushë, veprimet që bënë në fushë dhe nuk i lamë hapësira Murlanit në asnjë moment. Kështu që, Vllaznia dominoi lojën dhe padiskutim do të vazhdojmë me këto rezultate edhe në të ardhmen.

Atëherë, e kemi thënë gjithmonë që, Vllaznia ka një grup që nuk “lidhet” vetëm pas 11-lojtareve, por kemi shumë lojtare. Kemi shumë vajza të reja, që janë duke ecur përpara. Për atë po them që jam i kënaqur, sepse kishim dy-tre vajza të reja që u futën dhe dhanë maksimumin e tyre. Këto vajza dhanë rendimentin e tyre në këtë fitore.

Tashmë, ne e kemi thënë edhe herë tjetër që sa më tepër të forcohen ekipet, aq më mirë është, por për ne, nuk është se ishte e vështirë. Ne dominuam lojën në të gjitha drejtimet, jo vetëm në rezultat, por edhe me lojë. Kështu që, nuk i lamë hapësira Murlanit. Thjesht, unë flas për ekipin tim. Jam shumë i kënaqur për përformancën që zhvilluan vajzat në fushën e lojës”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë së femrave, Nikolin Leka.

Maringlen ZHIVANI

https://youtu.be/re_iDRSTE9A