Tirana fitoi me rezultatin 4-0 ndaj Kastriotit duke marrë “frymë”. Një fitore që vjen në momentin e duhur për skuadrën bardheblu, pasi konsiderohej si “finale mbijetese”. Të dy ekipet ishin aty-aty me pikë dhe kryeqytetasit duhet të reagonin, pasi makthet me “Kategorinë e Parë” janë prezente. Trajneri Ardian Mema dukej i liruar pas ndeshjes së parë të fituar në drejtimin e ekipit të tij.

Ai vuri theksin te merktoja dhe mendon se do të ketë përforcime të rëndësishme në merkaton e janarit, nëse do të ketë hapësirë. Kryeqytetasit i kanë hedhur sytë nga Afrika, aty ku kanë gjetur një “oaz” në merakto. Futbollistë të lirë dhe me shpresën se mund të bëjnë mirë. Në këtë moment, një “mollë e ndaluar” e Tiranës është Jahmir Hyka. Lojtari i kombëtares shqiptare nuk do të vazhdojë karrierën e tij me San Jose Earthquakes dhe është në kërkim të një skuadre tjetër.

30-vjeçari nuk do të ketë zgjedhje të parë Shqipërinë, pasi synon të vazhdojë karrierën e tij jashtë, por në rast se mbetet pa skuadër dhe nuk ka alternativa, atëherë Tirana dhe Partizani do ta prisnin me krahë hapur. Hyka është përfolur dhe më herët për një kalim në kryeqytet.

Ai ka luajtur më herët me bardheblutë në sezonin 2007-08 dhe 2010-11 dhe ka një lidhje emocionale me këtë skuadër, por pretendimet e “demave” janë të kundërta dhe kanë më shumë stabilitet. Hyka mund të joshet nga kjo pistë! Mbetet për t’u parë se si do të shkojë…