Për Sarrin, Elseid Hysaj ishte një lojtar i padiskutueshëm dhe më i preferuari i tij. Në kohën kur ishte te Empoli fillimisht shkodrani duhet të vuante disi, madje duke ndjenjur edhe një sezon pa luajtur një minutë të vetme, për të mbërritur te besimi i dhënë nga trajneri.

Futbollisti shkodran do të merrte besimin e plotë të Sarrit, ndërsa sapo ky i fundit shkoi te Napoli, e morri edhe mbrojtësin e Kombëtares me vete. Në kohën e tij, Hysaj e kishte të padiskutueshëm vendin e formacionit, derisa në drejtimin e skuadrës erdhi Ançeloti.

Ky i fundit mendon shpikje të ndryshme për futbollistët e skuadrës, duke improvizuar shumë lojtarë dhe duke ngushtuar hapësirat e mbrojtësit shqiptar, që e pa veten në pankinë për 90 minuta edhe ndaj PSG-së. Në ndeshjet e kaluara, Hysaj ka luajtur në krahun e majtë, ndërsa pozicioni i tij natyral është i djathti.

Por sërish ndryshe nga ndeshjet e kaluara, vendin e Hysajt në krahun e djathtë nuk e kishte Malcuit, futbollisti më në formë e i preferuar nga tifozët, por serbi Maksimoviç. Ai ka rolin natyral të një qendërmbrojtësi, por Ançeloti i beson krahun në nivelin e “Champions League” dhe kjo nuk është hera e parë që e bën këtë gjë.

Situata është e tillë, në krahun e majtë do të rikthehet së shpejti edhe i shumëprituri Ghoulam. Algjeriani e ka vendin e garantuar pa ardhur mirë në krahun e majtë, ndërsa në të djathtin do të jenë si asnjëherë më parë, 3 lojtarë duke luftuar për një vend.

Maksimoviç përdoret deri në këto momente si titullar për “Champions League”, ndërsa Malcuit lihet në atë pozicion për kampionat. Një lëmsh i vërtetë, që nuk gjen zgjidhje për Hysajn, ndarja në janar duket e pashmangshme. Futbollisti shqiptar nuk mund të rezistojë gjatë nga ndarja me Sarrin. /Shqiperia.ch/