Prej shumë kohësh tashmë po flitet për një transferim të mbrojtësit kuqezi, Elseid Hysaj drejt Çelsit dhe me zhvillimet e fundit, ky lajm duket më shumë se thashethem merkatoje.

Mbrojtësi i Napolit është një dëshirë e trajnerit të Çelsit, Maurisio Sarri dhe vetë Hysaj nuk e ka mohuar asnjëherë një kalim të mundshëm të tij te Blutë e Londrës.

Shkodrani ishte dhe në merkaton e verës shumë pranë kalimit te Çelsi, por një kusht në kontratën e Sarrit nuk e lejoi 24-vjeçarin të largohej nga napolitanët.

Por në janar, gjithçka duket se do të konkretizohet dhe Hysaj pritet të veshë fanellën e skuadrës londineze. Sot, Napoli do të presë në “Sao Paolo” Bolonjën, sfidë që me shumë gjasa do të jetë e fundit për mbrojtësin kuqezi me këtë fanellë.

Hysaj ka qenë pjesë e Napolit që nga viti 2015, ku ka luajtur më shumë se 120 ndeshje me këtë skuadër dhe ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm.

Zapakosta dhe Moses pritet të largohen nga Çelsi këtë janar, çka do t’i hapte Hysajt derën dhe do t’i jepte mundësinë te ishte mbrojtësi i djathtë numër një për Sarrin.

Gjithsesi, ka dhe një opsion tjetër. Çelsi po mendon që ta blejë që në janar 24-vjeçarin shqiptar, pasi një ofertë prej 40 deri në 50 milionë euro mund të pranohet nga presidenti i Napolit, De Laurentis.

Edhe në rast të një akordi në janar, Hysaj mund të presë deri në fund të sezonit që të marrë valixhet dhe të transferohet. Përveç Çelsit, edhe Atletiko Madrid po ndjek me interes situatën e shkodranit, për të cilin nuk mungon interesi as nga disa klube te tjera.

E ardhmja e Hysajt duket larg Napolit, pasi marrëdhëniet me Ançelotin nuk kanë qenë aspak të mira. Për tu konkretizuar gjithçka, duhet të presim muajin janar, por një gjë duket e sigurt: Hysaj është gati për të lëvizur!/vipsport/