Pero Pejiç me sa duket nuk e ka mbyllur përfundimisht aventurën e tij në futbollin shqiptar. Futbollisti i cili në të kaluarën ka veshur me sukses fanellën e klubeve të Dinamos, Tiranës, Flamurtarit, Skënderbeut e Kukësit, është gati të kthehet në vendin tonë ku gjithmonë ka qenë protagonist me golat e tij.

Pejiç ka fituar 3 herë në 5 sezonet e kaluara garën për golashënuesin më të mirë në Superiore, duke shënuar gola me rregullsi mbresëlënëse dhe ndonëse është 36-vjeç, pakkush ka dyshime që ai mund të jetë vendimtar në kampionatin tonë të cilin e njeh shumë mirë. Kroati po tenton të kthehet përsëri në futbollin tonë, për të luajtur më rregullisht pas një eksperience jo edhe aq bindëse te Slaven Belupo në Kroaci ku ëhstë kthyer në lojtar stoli.

Ai do të udhëtojë drejt Shqipërisë këtë fundjavë, për të zhvilluar takime me disa klube që kanë shfaqur interes për të gjatë kësaj periudhe. Bëhet fjalë për klube të Superiores të cilat duan të përforcohen për pjesën e dytë të sezonit, ndërsa Pejiç është gati edhe të mos e fillojë detyrimisht si titullar këtë eksperiencë të radhës në një klub vendin tonë.

Ndërkohë, emri i tij ka filluar të qarkullojë edhe në kampionatin kosovar të futbollit, ndaj nuk është çudi që takimet me përfaqësues të këtyre klubeve të bëhen po në vendin tonë gjatë këtyre ditëve. /vipsport/