Klubi saudit i Al Nassr ka tërhequr vëmendjen e futbolldashësve pas transferimit të yllit të futbollit Cristiano Ronaldo.Por emri i këtij ekipi është përmendur edhe në vitet 90’, kur pjesë e tij u bë mbrojtësi shqiptar Hysen Zmijani.
Shkodrani firmosi në vitin 1993 me sauditët dhe luajti për dy sezone, ku festoi fitimin e titullit kampion në vend për dy vite. 59-vjeçari tregoi për Klan News, për eksperiencën e suksesshme në Arabinë Saudite.
“Është një eksperiencë e bukur dhe mos them që është realizuar pothuajse 100%, se për vetë faktin kam pasur 2 vite kontratë dhe dy vite kampion atje, ishte një gjë fantastike. Trajneri që kisha tek Ajaccio shkoi në Arabinë Saudite dhe ai më tërhoqi mua, kjo ishte lidhja që unë shkova në Arabinë Saudite sepse nuk e njihnim”, ka thënë Hysen Zmijani.
Ish-lojtari i kombëtares kujton se si arriti të përshtatej me jetesën në vendin arab. “Kur shkova atje ishte e kundërta e Korsikës, sidomos nga jeta sepse ishte pak e mbyllur, nga gjinia femërore ishin të mbuluara femrat, kurse tani është ndryshe”, ka thënë Hysen Zmijani.
Ndërkohë ai komenton edhe kalimin e Cristiano Ronaldos në skuadrën saudite.
“Ronaldo si nivel nuk është i njëjti për vetë faktin ku ka luajtur Ronaldo dhe kush është Ronaldo, është diçka absurde për të thënë shumë mirë ka bërë, por për egon e tij për të qenë përsëri lider, jo më tek futbolli por tek paraja, unë jam uniku, më i paguari në botë”, ka thënë Zmijani.
Zmijani shprehet se ende ruan marrëdhënie me Al Nasr, pavarësisht se kanë kaluar mbi 25 vite që ai ishte pjesë e klubit.