Elseid Hysaj do të vendosë shumë shpejt të ardhmen e tij, pas lamtumirës tashmë të sigurt nga Napoli. Pavarësisht afrimit të ditëve të fundit, në Itali nuk e shohin më të mundur qëndrimin e mbrojtësit te napolitanët, pasi me Spaletin planet janë krejtësisht ndryshe për lojën e ekipit. Megjithatë, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka refuzuar që tani një ofertë që i ka ardhur nga një ish-trajner.
Një nga skuadrat që interesohej konkretisht për Hysajn gjatë kësaj periudhe ishte Fiorentina, ku u emërua pak kohë më parë trajner Rino Gatuzo. Ky i fundit i besoi gjithmonë mbrojtësit shqiptar edhe kur e kritikonin dhe e mbajti titullar të paprekshëm te Napoli.
Por Hysaj ka vendosur t’i thotë “jo” ofertës së Fiorentinës, për faktin e thjeshtë se është në pritje të ofertës nga klubi ku ka shkuar një tjetër ish-trajner, Mauricio Sarri. Ky i fundit ka firmosur te Lacio dhe mendohet se ka shqiptarin si një prej objektivave të tij.
Nëse do të dështojë kjo marrëveshje, për Hysajn ekziston gjithmonë edhe hipoteza e Milanit, një klub i cili kërkon lojtarë që mund të luajnë në të dy krahët e prapavijës, pikërisht si mbrojtësi shqiptar, për ta pasur si xhol në edicionin e ardhshëm kur ekipi do të luajë përsëri në Ligën e Kampioneve. /vipsport/