Merkato e janarit është kryetema për të gjithë futbollistët dhe drejtuesit e skuadrave në këtë periudhë. Largimet apo edhe afrimet e futbollistëve të janë ato që bëjnë lajm çdo herë. Vllaznia gjithashtu nuk mund të qëndrojë jashtë “vorbullës” dhe thashethemeve për afrimet apo largimet.

Në ditët e fundit po qarkullojnë disa emra e sidomos në drejtim për tu larguar nga ekipi kuqeblu. Një ndër emrat për të cilin është folur është edhe Arlind Kalaja. Mesfushori me tipare sulmuese me shumë mundësi nuk do e vijojë sezonin tek 9 herë kampionët e vendit.

26-vjeçari nuk është prononcuar për mediat për një lajm të tillë. Por “Shkodra Sport” mëson se për momentin ish-futbollisti i Teutës është në Suedi, ku po kalon pushimet dimërore. Ndoshta kjo mund të jetë edhe lëvizja e rradhës e Kalajas që mund të gjejë një ekip të ri jashtë Shqipërisë.

Ende nuk ka asgjë konkrete në lëvizjet në hyrje apo dalje tek Vllaznia. Por zërat dhe thashethemet në këtë muaj patjetër që do jenë të shumtë për të gjitha ekipet dhe futbollistët që mendohet se do ndërrojnë skuadër.

Endri ÇINARI