Vllaznia kërkon fitoren e radhës ndaj Skënderbeut, pikërisht në një javë ku shpreson edhe te kombinimi i mundshëm i rezultatit në ndeshjen Partizani-Kukësi, që automatikisht do të thellonte diferencën në pikë me vendin e dytë.

Shkodranët janë të motivuar për ta mbyllur vitin duke marrë maksimumin e pikëve në dy ndeshjet e mbetura, fillimisht të dielën në orën 13:45 kundër korçarëve në “Loro Boriçi”, e më pas më 30 dhjetor në transfertë, ku do të luajnë supersfidën me Tiranën.

Trajneri Tomas Brdariç pret që skuadra të bëjë një sforco pas këtij kalendari kaq të ngjeshur që e praktikon më së shumti vetëm futbolli anglez. Për “Panorama Sport” gjermani foli në prag të ndeshjes me bardhekuqtë, duke theksuar se pret fitoren nga skuadra e tij.

Nga ana tjetër, trajneri paralajmëroi largime në merkaton e janarit, por natyrisht duke theksuar se kushdo që do të ikë, do të zëvendësohet. Më tepër bëhet fjalë për futbollistë që kanë pasur pak hapësira dhe sinjali u dha dje kur u zyrtarizua largimi i mbrojtësit Lekaj.


Tomas, si është gjendja e ekipit në prag të ndeshjes me Skënderbeun? Ka diçka që ju shqetëson?

Brenda 10 ditësh kemi luajtur 4 ndeshje. Me këto kushte shumë të vështira çdo gjë bëhet problem, por ne i kemi marrë masat në mënyrë profesionale. Po stërvitemi dhe qëndrojmë të motivuar për të bërë mirë.


Kanë mbetur dy ndeshje për këtë vit. Me sa pikë do të ishit i kënaqur?

Ne nuk shikojmë se çfarë mund të ndodhë. Vllaznia do të futet në çdo ndeshje për të dhënë dhe marrë maksimumin e pikëve.

E nisni si favorit absolut për të mundur korçarët, i druheni një nënvlerësimi të kësaj ndeshjeje nga lojtarët?

Shikoni, ne këtë ecuri që kemi bërë e meritojmë plotësisht. Kemi shënuar mjaftueshëm për të marrë pikët dhe gjithashtu jemi mbrojtur fort. Rezultati është fundi i një produkti. Ne jemi duke u rritur çdo javë.

Çfarë do të bëhet me sulmuesin Ismael Dunga, pasi u bë mbi 20 ditë që nuk është më pjesë e ekipit…?

Nga sa jam i informuar, Dunga është ende në vendin e tij dhe është duke pritur për dokumentet. Kaq mund të them.


Hapja e merkatos po afron. Cilat janë planet e Vllaznisë?

Në periudhën e transferimit disa lojtarë do të largohen nga klubi ynë.

A mund të flisni më konkretisht…

Thjesht, ne duhet t’i zëvendësojmë ata që do të ikin.