Futbolli i femrave po masivizohet çdo vit e më shumë, ku sigurisht për zhvillimin e tij është rritur edhe mbështetja financiare.

“Goal.com”, së fundmi ka azhurnuar edhe shpërblimet e UEFA-s për sezonin 2022-2023 në Ligën e Kampioneve për femra, ku vihet re një rritje e përfitimeve për ekipet pjesëmarrëse, teksa institucioni më i lartë i futbollit në Europë shpërndan një total prej 24 milionë eurosh për skuadrat e Champions-it.

Në kompeticionin më prestigjioz për klube merr pjesë edhe kampionia e Shqipërisë, Vllaznia, e cila është në kërkim të një rezultati historik për t’u bërë pjesë e fazës së grupeve.

Pasi kanë dalë barazim 1-1 në ndeshjen e parë kundër ukrainaseve të Vorskla Kharkiv, vajzat kuqeblu do të luajnë sot në orën 16:00 takimin e dytë në “Loro Boriçi”.

Përtej historisë, në lojë janë edhe milionat e UEFA-s. Por le të shikojmë se me sa para i ka ngrohur xhepat Vllaznia deri më tani dhe sa pritet të marrë në rast kualifikimi në sfidën e sotme.

Vetëm për pjesëmarrjen në raundin e parë, Vllaznia ka arkëtuar menjëherë 65 mijë euro, ndërsa duke u kualifikuar për në “play off”, ekipi shkodran i ka shtuar kësaj shume edhe 15 mijë euro të tjera, duke e dërguar në 80 mijë euro.

Ndërkohë duke kaluar te “play off”-i, atu ku vajzat kuqeblu do të përballen me Vorsklën, në rast dështimi për t’u kualifikuar për më tej, Vllaznia do të përfitojë edhe 140 mijë euro të tjera, duke e mbyllur aventurën e saj në Champions me 220 mijë euro të fituara në total.

Ndërkohë në rast suksesi në ndeshjen e sotme, përveç 80 mijë eurove që i ka siguruar nga raundi i kaluar, Vllaznia do të marrë edhe 100 mijë të tjera për kualifikimin, duke e dërguar përfitimin në 180 mijë.

Por nuk mbyllet me kaq, pasi pjesëmarrja në grupe i garanton direkt edhe 400 mijë euro të tjera shtesë, duke e dërguar në plot 580 mijë përfitimin e përgjithshëm financiar.

Përveç kësaj shume që është e sigurt nëse shkodranet arrijnë fazën e grupeve, më tej për çdo fitore në grup skuadrat marrin si bonus edhe 50 mijë euro shtesë. Në rast barazimi marrin nga 17 mijë euro.

Në tabelë ju pasqyrojmë të gjitha shpërblimet financiare të e UEFA-s për sezonin 2022-2023 të publikuara nga “Goal.com”.