Vllaznia zbriti ditën e hënë në fushë, në kuadër të kupës së Shqipërisë. Dhe për më saktë kundër Flamurtarit në ndeshjen e parë të raundit 1/16. Shkodranët u mposhtën në Vlorë në shifrat 2-1, duke lënë kështu një shije jo të mirë. Por gjithsesi çdo gjë të hapur për ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”.

Ajo që ra në sy në takimin kundër kuqezinjëve ishte aktivizimi i disa futbollistëve që kanë pasur pak minuta këtë sezon. Ku futbollistë si: Qarri, Kruja, Çoba apo edhe Vulaj gjetën hapësirë në formacion. E pikërisht për tu ndalur tek emri i fundit ku pritshmëritë janë të mëdha, Vulaj arriti të shënonte golin për Vllazninë.

Ish-futbollisti i Deçiçit në Malin e Zi e nisi për herë të parë një sfidë si titullar me fanellën kuqebli. Starti ishte shumë i mirë për fantazistin që gjeti golin që në minutën e 10-të. Por me kalimin, ritmi i tij ra shumë dhe kjo detyroi edhe trajnerin Josa që ta nxirrte nga fusha në minutën e 81-të.

Patjetër që këto minuta dhe ky gol për Vulajn janë shumë të vlefshme. Por tifozët e Vllaznisë duan akoma më tepër nga ana e numrit 5-së. Pasi pretendimet që të gjithë kanë në Shkodër për lojtarin nga Tuzi janë shumë të mëdha. Duke parë edhe bujën me të cilën u afrua në merkaton e verës nga kuqeblutë.
Endri ÇINARI