Pas shumë ditësh të mbuluar nga kritikat, fitorja ndaj Turqisë i ka dhënë mundësinë futbollistëve të Zvcirës që të thonë edhe ata fjalën e tyre në një Europian ku më në fund e panë veten duke dhuruar një ndeshje të mirë. Granit Xhaka ka qenë ndër më të kritikuarit, duke filluar që nga modeli i flokëve e deri te përformanca në fushë dhe ai sot doli më në fund para mediave për të kundërsulmuar.
“Kishte një trysni të jashtëzakonshme mbi ne. E drejtë apo e padrejtë, nuk ka shumë rëndësi tani. Por dje kishim një bisedë të mirë, në ekip jemi shumë të hapur me njëri-tjetrin dhe folëm për atë që na ka bërë të fortë në vitet e fundit. Sidomos grupi. Për fat të keq nuk e kemi parë këtë, sidomos kundër Italisë. Sot kemi treguar se kemi karakter në skuadër dhe nëse punojmë bashkë, mund të arrijmë diçka.
Unë jam pjesë e këtij ekipi thuajse prej 11 vitesh dhe asnjëherë nuk kemi humbur si ndaj Italisë. Ajo ishte një humbje që dhemb. Por ndoshta ishte një zgjim për ne që të kthehemi në realitet dhe të zgjidhim këtë telash. Tani kemi 4 pikë në 3 ndeshje dhe mund të shpresojmë. Përgjigjet tona janë në fushë.
Jemi kritikuar shumë për gjëra të vogla që nuk mendoj se janë të rëndësishme. Nëse njerëzit jashtë mendojnë se duhet të komentojnë çdo lloj gjëje të vogël, ju lutem ta bëjnë. Por unë ju siguroj se kjo skuadër nuk do të thyhet nga gjëra si këto.
Ne nuk kemi pasur kurrë probleme me njëri-tjetrin, atmosfera është e shkëlqyer mes nesh. Njerëzit po mundohem të shkatërrojnë këtë ekip duke folur e duke shkruar gjëra. Por siç e thashë, kjo skuadër nuk do të shkatërrohet nga gjëra të tilla”, tha Xhaka. /vipsport/