Jurgen Uldedaj ka pësuar humbjen e tij të parë në karrierë si boksier profesionist. 25-vjeçari shqiptar u mposht në eventin madhor të mbajtur në Londër në O2 Arena në mbrëmjen ku përballë u vendosen dy emra të rëndësishëm të boksit si Anthony Joshua dhe Jermaine Franklin.

Jurgen Uldedaj u mposht nga rivali i tij Benoit Huber me një diferencë shumë të vogël pikësh. Në 8 raunde të zhvilluara asnjë nga të dy boksierët nuk i dha dot fund sfidës me “knock out” dhe për këtë arsye lindi nevoja që të ishin gjyqtarët ata që do të merrnin vendimin për fituesin.

Uldedaj u ndesh denjësisht duke krijuar edhe idenë se do të ishte ai fituesi pasi në disa raunde po dominonte sfidën.

Në fund në qiell ngrihet dora e zvicerianit Benoit Huber që triumfoi me 2 pikë diferencë. 77-75 ishte vendimi i gjyqtarëve të takimit, ndërsa për Jurgen Uldedaj kjo është humbja e parë.

Pas vendimit të gjyqtarëve, boksieri shqiptar u shfaq shumë i zhgënjyer pasi fitorja ishte rezultati i vetëm që kërkonte. Kjo ishte ndeshja e 16-të për Uldedaj, ndërsa në 15 të para kishte po kaq fitore ku 6 prej tyre ishin me “knock out”.