Kjo javë e tretë e kampionatit të Kategorisë së Parë të moshave nuk ka shkuar mirë për KF Shkodra, pasi dy prej ekipeve të saj, U-19 dhe U-13 janë mundur. 19-vjeçarët, e drejtuar nga trajneri Ersi Çaku, duke luajtur në transfertë, janë mundur nga Erzeni me rezultatin e pastër 3-0, ndërsa 13-vjeçarët me trajner Rudi Piraniqin, duke luajtur edhe ata në transfertë, janë mundur po nga Erzeni me rezultatin 3-1.

Sfida e U-19 Erzeni-Shkodra është zhvilluar në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut, duke prodhur tre gola njëri pas tjetrit. Fillimisht, vendasit kanë kaluar në avantazh me golin e shënuar që në minutën e 13-të. Ndërkohë që, pjesa e parë është mbyllur në avantazh për Erzenin, 1-0.

Pas kthimit nga dhomat e zhveshjes, loja në pjesën e dytë bëhet më luftarake, duke marrë në konsideratë edhe rezultatin e ndeshjes. Megjithatë, vetëm kaq, pasi Erzeni nxjerr në dritë edhe golin e dytë. Një gjë e tillë vjen në minutën e 51-të, duke dërguar shifrat në 2-0.

Ky rezultat nuk i kënaq miqtë nga Shkodra dhe të orientuar nga trajneri Çaku, ata shtojnë veprimet sulmuese për të ngushtuar rezultatin, por përpjekjet e tyre janë të pasuksesshme. Në minutën e 65-të, janë sërish shijakasit që shënojnë në portën mike të Shkodrës.

3-0 dhe minutat në vazhdim nuk sjellin asgjë të re, duke nxjerrë fituese skuadrën shijakase. Ndërkohë, Shkodra largohet nga fusha e lojës, duke pësuar humbjen e parë në kampionat. Tashmë, 19-vjeçarët e trajnerit Ersi Çaku mbeten në vendin e nëntë të renditjes me vetëm dy pikë.

Nga ana tjetër, as Shkodra U-13 nuk ia ka dalë në sfidën e saj të javës së tretë. Futbollistët, e drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi, janë mundur po nga Erzeni me rezultatin 3-1. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut, është dominuar plotësisht nga shijakasit, të cilët gjatë të gjithë ndeshjes kanë udhëhequr në rezultat.

Në fakt, ka qenë një fillim aspak i mirë i skuadrës së Shkodrës në pjesën e parë, teksa Erzeni shënon dy gola që në fillim njëri pas tjetrit. Më pas, në pjesën e dytë, ndeshja ka qenë më e fortë dhe për këtë, meritë ka Shkodra U-13, e cila duke u futur në lojën e saj, arrin të ngushtojë rezultatin në 2-1, me anë të golit të shënuar nga Guri.

Megjithatë, vetëm kaq, pasi kjo zgjat deri në minutën e 60-të, kur Erzeni U-13 arrin të shënojë edhe një gol tjetër, duke e fituar kështu në këtë mënyrë krejt ndeshjen me shifrat 3-1. Pas kësaj humbjeje, Shkodra U-13 mbetet në vendin e nëntë të renditjes me vetëm dy pikë. /Maringlen ZHIVANI/

Erzeni-Shkodra U19 3-0

Formacioni i Shkodra U-19: Vitaj, Nikaj, Guri, Gjelaj, Limani, Agraja, Hoxhaj, Luani, Hyseni, Gjolaj, Kasemi (u aktivizuan: Rroku, Sykaj) Tr: Ersi Çaku

Erzeni-Shkodra U13 3-1

Goli për Shkodrën U-13: Guri 53’

Formacioni i Shkodra U-13: Likaj, Çollaku, Tafa, Dushku, Qukaj, Beka, Çilaj, Ndou, Osja (u aktivizua: Guri) Tr: Rudi Piraniqi