Kjo javë e pestë e Superiores së moshave ka prodhuar të gjitha rezultatet për Akademinë Vllaznia. Kështu, tre prej ekipeve të saj, të cilat kanë luajtur, kanë marrë një fitore, një humbje dhe një barazim në ndeshjet e tyre ndaj Partizanit. Më konkretisht, bëhet fjalë për grupmoshat U-13, U-14 dhe U-15.

Vllaznia U-13, e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi, pas disa ndeshjeve jo të mira, ka marrë fitoren e parë në këtë kampionat. Këtë e ka bërë ditën e djeshme, teksa ka mundur Akademinë e Futbollit me rezultatin 3-1, ndeshje kjo e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”, për llogari të javës së pestë.

Kuqeblutë e kanë zgjidhur takimin që në pjesën e parë, duke tundur tre herë rrjetën e portierit mik. Në minutën e 8-të, Luka është ai që ka hapur serinë e golave për Vllazninë. Pas katër minutash, në të 12-tën, Lekaj do të shënonte edhe një gol tjetër, duke dyfishuar rezultatin.

Edhe pse me avantazhin e pastër 2-0, Vllaznia vazhdon të sulmojë sërish në portën mike, duke nxjerrë në dritë edhe golin e tretë. Ky gol realizohet në minutën e 19-të dhe mban firmën e Lukës sërish, që shënon dopietë në këtë ndeshje.

Avantazhi 3-0 në favor të Vllaznisë krijoi përshtypjen se në 45-minutat e dyta, kuqeblutë do të shënonin edhe gola të tjerë. Megjithatë, nuk ndodhi kështu, sepse Akademia e Futbollit e përmirësoi disi lojën e saj.

Miqtë nga kryeqyteti arrijnë të shënojnë në minutën e 61-të, teksa pas këtij goli, oreksi i tyre shtohet edhe më shumë për të gjetur sërish ndonjë gol tjetër. Megjithatë, nuk ka më kohë, sepse vjen vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit të takimit, duke fiksuar fitoren e Vllaznisë U-13 me rezultatin 3-1. Fitore kjo që i ngjit shkodranët në kuotën e katër pikëve, duke mbajtur vendin e tetë në renditjen e klasifikimit.

Ndërkohë, në barazim është mbyllur ndeshja në mes Vllaznisë U-15 dhe Partizanit, e vlefshme për javën e pestë të kampionatit. Takimi i luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”, është shoqëruar me shumë rivalitet dhe luftë të fortë sportive. Megjithatë, në fund ndeshja nuk do të shkonte më shumë se barazimi 1-1.

Sa i përket lojës, në pjesën e parë të ndeshjes, nuk do të kishte gola. Ndërkohë, në pjesën e dytë, Vllaznia, e drejtuar nga trajneri Fatjon Hasani, arrin të shënojë e para në minutën e 48-të, me anë të Imran Fushës. Megjithatë, menjëherë më pas, barazon Partizani në të 61-tën.

Barazimi 1-1 do të qëndronte në fuqi deri në fund të ndeshjes, duke bërë që dy skuadrat të ndajnë nga një pikë. Një rezultat ky për Vllazninë, që e mban skuadrën kuqeblu në vendin e pestë në renditje me tetë pikë.

Ndërkohë, Vllaznia U-14 e drejtuar nga trajneri Arben Parmeza, është mundur thellë në shtëpi nga Partizani, 0-5. Ndeshja në fjalë u luajt në fushën sportive “Reshit Rusi” përpara përballjeve të U-15 dhe U-13.

Në fushën e lojës, ritmin e saj e ka diktuar kryesisht skuadra e Partizanit, e cila duke përfituar edhe nga një formë e dobët e kuqebluve, arriti të marrë një fitore të thellë. Miqtë shënuan dy gola në pjesën e parë dhe tre të tjerë në pjesën e dytë, duke e mbyllur të gjithë ndeshjen me rezultatin e thellë 0-5 në favor të tyre. Pas kësaj humbjeje, Vllaznia U-14 renditet në vendin e tetë në tabelën e klasifikimit me katër pikë. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia U13-Akademia e Futbollit 3-1

Golat për Vllaznia U-13: Luka 8’, 19’, Lekaj 12’

Formacioni i Vllaznia U-13: Shpuza, Fjerçe, Alija, Golemi, Bishaj, Delaj, Luka, Shabi, Lekaj Tr: Brikeno Bizi

Vllaznia U15-Partizani 1-1

Goli për Vllaznia U-15: I. Fusha 48’

Formacioni i Vllaznia U-15: Mehmeti, Jubani, Hebovija, Valikaj, Mehja, I. Fusha, F. Fusha, Prendi, Shurbani, Vukaj, Zhuri (u aktivizuan: Geci, Hoxha, Zalli, Seferaj) Tr: Fatjon Hasani

Vllaznia U14-Partizani 0-5

Formacioni i Vllaznia U-14: Ndoj, Ramaj, P. Lulaj, Kraja, Bega, Selimi, Hoxha, Jukaj, Lisaj, Dautovi, Ramçaj (u aktivizuan: Thana, Preka, Troshani) Tr: Arben Parmeza