Tërbuni ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 me përmbysje përballjen ndaj Korabit për javën e shtatë të Kategorisë së Parë. Takimi është zhvilluar në stadiumin “Ismail Xhemali” në Pukë dhe është fituar nga skuadra pukjane me golat e dyshes së zakonshme, Vilfor Hysa dhe Albi Xhabrahimi.

Në fakt, ndeshja nisi me gol për Korabin, e cila që në minutën e 9-të gjen golin me Beshirajn. Megjithatë, pas këtij ndëshkimi, takimi dominohet nga Tërbuni dhe të besuarit e trajnerit Alert Alcani e rrisin presionin dhe në minutën e 22-të, arrijnë që të barazojnë shifrat me golin e Hysës.

Pas shtatë minutash, pukjanët fitojnë një penallti dhe do të ishte sulmuesi Xhabrahimi, ai që do ta shndërronte në gol atë, duke kaluar në avantazh Tërbunin. Me rezultatin 2-1 mbyllet pjesa e parë e takimit, ndërsa pjesa e dytë shoqërohet me ndryshime të shumta në të dyja kampet.

Padyshim, në fraksionin e dytë, Tërbuni mbrohet mjaft mirë dhe rezultati 2-1 mbetet i pandryshuar deri në përfundim të ndeshjes. Pas kësaj fitoreje, pukjanët renditen në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit me 12-pikë deri më tani. Ndeshja e rradhës për ekipin e trajnerit Alert Alcani do të jetë në transfertë ndaj Turbinës së vendit të fundit. /Maringlen ZHIVANI/

Tërbuni-Korabi 2-1

Golat: Hysa 22’, Xhabrahimi (pen) 29’ / Beshiraj 9’

Formacioni i Tërbunit (4-4-2): Vata, Ruqi, Peqini, Hoxhaj, Metani, Filipi, Tafili, Baholli, Saliaj, Xhabrahimi, Hysa (u aktivizuan: Duka, Zagani, Troqe, Rezi) Tr: Alert Alcani