Dita e sotme do të ofrojë një derbi shumë interesant në grupmoshën U-17 të Kategorisë së Parë. Ndeshja në fjalë që do të luhet, do të jetë Djelmnia Shkodrane-Shkodra, e cila do të zhvillohet në fushën sportive “Zmijani”.

Djelmnia Shkodrane U-17, e drejtuar nga trajneri Arbër Shytani, e cila luan si vendase, vjen në këtë ndeshje pas fitores së thellë të javës së kaluar në transfertë ndaj Kukësit, me rezultatin 11-2.

Poashtu, me fitore e kanë mbyllur javën e kaluar edhe futbollistët 17-vjeçarë të Shkodrës, të cilët nën drejtimin e trajnerit Semir Gokaj mundën në shtëpi Flamurtarin me rezultatin minimal, 1-0.

Të dy ekipet ndodhen me pikë të barabarta, me nga gjashtë pikë, në krye të renditjes së klasifikimit dhe prandaj ditën e sotme, kjo ndeshje pritet të jetë me mjaft rivalitet dhe luftë sportive në fushën e lojës.

Realisht, kjo përballje kërkon vëmendjen e duhur, jo vetëm nga ana e specialistëve të futbollit, por edhe nga ana e opinionit sportiv dhe tifozërisë, e cila pritet të jetë e pranishme në shkallët e fushës sportive “Zmijani”.

Ndeshja Djelmnia Shkodrane-Shkodra për grupmoshën U-17 do të luhet ditën e sotme në fushën sportive “Zmijani”, duke filluar nga ora 14:00.
Maringlen ZHIVANI