Sulmuesi shkodran Gabriel Kulla vazhdon të shënojë dhe të shkëlqejë me ekipin Sassuolo U20 edhe në ndeshjet e Kupës së Italisë për të rinj ndaj Lecces. 17 vjeçari këtë herë nuk u preferua si titullar ngaqë trajneri u dha mundësinë të luajnë lojtarëve që kanë patur më pak hapësira në ndeshjet e kampionatit.
Ai u hodh në fushë në minutën e 70-të dhe i kanë mjaftuar vetëm 10 sekonda për ta dërguar topin në rrjetë duke shënuar golin e tretë për ekipin e tij dhe duke e mbyllur këtu ndeshjen. Kulla ka marrë një top nga e djathta e sulmit të Sassuolos dhe pranë zonës së 5 metërshit nuk ka ngurruar të godasë saktë dhe ta dërgojë atë në rrjetë.
Në këtë mënyrë pas 6 golave në kampionatin “Primavera” deri më tani, vjen edhe goli në Kupë për sulmuesin e kombëtares U19 të Shqipërisë, i cili tregon edhe njëherë tjetër se është një “bomber” i vërtetë.
Në ndeshjen e sotme, portën e Sassuolos e ka mbrojtur shkodrani tjetër Gabriel Guri i cili ka bërë një paraqitje të mirë duke qenë shpëtimtar i portës së tij me pritjet e bëra në 3-4 raste. Si rrjedhojë Sassuolo fitoi 3-0 ndaj Lecces duke u kualifikuar për në çerekfinalen e “Coppa Italia Primavera”.


