Kërcënimi ndaj trajnerit të Vllaznisë Ernest Gjoka ka bërë bujë në vendin tonë në ditët e fundit.

Një veprim i tillë natyrisht që është dënuar. Por, trajneri Gjoka nuk është i pari që përballet me një problematikë të tillë.

Edhe ish-tekniku i Vllaznisë, Armando Cungu është përballur shpesh herë me presione të tilla që kanë kërkuar ndërhyrje në formacionin e Vllaznisë.

Por, mesa duket këto dy trajnerë nuk janë të vetmit që kanë pasur të tilla problematika. Edhe një tjetër trajner shkodran është përballur me një fenomen të tillë.

Bëhet fjalë për trajnerin Samuel Nikaj, që më parë ka qenë pjesë e Vllaznisë, ndërsa momentalisht është trajner i ekipit të Kastriotit të Krujës në Kategorinë e Parë.

Në një prononcim për Sport Ekspres, Nikaj tregon se edhe ai është ndeshur me të tilla problematika, por ndryshe nga Cungu dhe Gjoka nuk i ka bërë publike, por i ka zgjidhur privatisht.

Sipas Nikës, një gjë e tillë ndodh në të gjithë Shqipërinë, por në Shkodër janë më të ndjeshëm. Për të minimizuar një fenomen të tillë duhet një president thekson Nikaj.

“E dënoj një akt të tillë, por këto problem kanë ekzistuar edhe do të ekzistojnë edhe në të ardhmen.

Cungu dhe Gjoka i kanë bërë publike, por të tilla raste kam pasur edhe unë gjatë kohës te Vllaznia.

Por, unë i kam zgjedhur privatisht. Përsonalisht kam bindjen se këto problem zgjidhen nëse ekipi ka një president.

Mungesa e presidentit është kryesorja besoj, por rasti konkret përveç se vetë “jabanxhi”, trajneri ka sjellë edhe stafin me vete, çka mund të ketë edhe ndërhyrje nga përsona të caktuar.

Të tilla raste ndodhin në gjithë Shqipërinë, por në Shkodër janë më të ndjeshme. Por, siç e theksova edhe më lart, me ardhjen e një presidenti këto raste minimizohen.” – shprehet trajneri shkodran, Samuel Nikaj. /ShkodraNews/