Izmir Smajlaj u shpall i pafajshëm vetëm pak ditë më parë pas akuzave që i bën për manipulim të rezultatit. Gjykata Sportive Botërore në Londër i dha pafajësinë atletit shkodran, ndërkohë që pezulloi nga detyra trajnerin e tij e presidentin e Federatës Gjergj Rulin dhe ish-sekretarin Nikolin Dionisin.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Smajlaj është shprehur tepër i lumtur për vendimin e marrë nga Gjykata dhe ka zbuluar se shumë shpejt do të rikthehet në pistë.

“I drejti nuk mposhtet kurrë! I pafajshëm!

Falë një betejë të gjatë ligjore me AIU, Sport Resolution (ose Gjykata Sportive Botërore) me seli në Londër, ka shpallur PA-FAJËSINE time kundrejt aludimeve për mashtrim ndaj një gare ku isha pjesëmarrës. Isha i bindur që gjyqtarët e huaj do të vlerësonin të vërtetën dhe do kuptonin që çdo gjë që ishte hetuar ishte e gabuar dhe pa fakte ndaj meje, andaj jam tejet i lumtur, dhe me anë te këtij postimi ju komunikoj edhe rikthimin tim ne pistë.

Faleminderime e mirënjohje për ata që besuan tek unë që në fillim, për punën e përkryer të avokatëve mbrojtës z. Ermir Beta dhe znj. Romina Zano, përkthyeses zyrtare znj. Etleva Pushi, si dhe familjes sime që duroi e përjetoi një stres të panevojshëm”, shkruan Smajlaj.