Fluturimi i Leo Mesit në drejtim të Arabisë Saudite ka sjellë jo pak polemika duke qenë se sulmuesi argjentinas ka shkuar pa lejen e klubit. Ditën e djeshme, u raportua se PSG e ka përjashtuar Mesin me 14 ditë nga stërvitja dhe do të mungojë në 2 ndeshjet e radhës.

Por, gjërat duket se nuk përfundojnë këtu. Gazeta më e madhe në Francë, “L’Equipe” është hapur sot me titullin “La Rupture”, që do të thotë “Thyerja”.

Sipas kësaj gazete e cila është shumë e afërt me klubin parisien, historia mes Leo Mesit dhe PSG tashmë ka marrë fund.

Pasi të përfundojë dënimi i dhënë nga klubi, Mesi do të kthehet për t’i dhënë lamtumirën skuadrës së tij. Nëse e ardhmja e Mesit ishte në dyshim deri pak ditë më parë, tashmë është e sigurt që e ardhmja e tij do të jetë larg PSG-së.

Barcelona dhe Al Hilal në Arabi janë dy skuadrat që kërkojnë shërbimet e Mesit e tashmë pritet të shihet se ku do të firmosë.