Sezonin e kaluar e ndihmoi Besëlidhjen me lojën dhe golat e tij për t’u shpallur kampion i kategorisë së dytë dhe kur pritej që kontrata e tij të zgjaste edhe një sezon, në mënyrë të papritur ka ardhur edhe njoftimi i klubit lezhjan për mbylljen e bashkëpunimit me këtë futbollist.
“Jasmin Raboshta nuk do të jetë më pjesë e skuadrës në sezonin e ardhshëm futbollistik. Klubi falenderon lojtarin për kontributin e dhënë me fanellën e Besëlidhjes dhe sukseset e arritura bashkë. Faleminderit Rraboshta”- shkruhet në këtë postim.
Ende nuk është e qartë nëse mes palëve nuk ka patur akord financiar për rinovimin e kontratës apo ka diçka tjetër, por ajo që dimë është se ky “divorc” vjen pas disa ditësh që ekipi ka nisur stërvitjen.
35 vjeçari ka qenë protagonist absolut sezonin e kaluar për Besëlidhjen duke qenë njëkohësisht edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit, por këto shifra mesa duket nuk kanë mjaftuar për vijimin e bashkëpunimit edhe për sezonin e ri.
Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i rradhës për Jasmin Rraboshtën, këtë futbollist që e nisi karrierën tek Vllaznia dhe më pas kaloi nëpër shumë skuadra ku u shfaq gjithmonë si protagonist me golat e tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


