Shkruar nga Gjergj KOLA
Vllaznia e viteve ’70 mbahet mend si një nga ekipet më të mira dhe më të suksesshme në historinë e futbollit shkodran. Pjesë e saj kanë qenë futbollistë të shkëlqyer, të cilët kanë shkruar emrin e tyre me shkronja të arta në historinë e këtij klubi.
Njëri prej tyre, padyshim, është edhe Lekë Koçobashi. Ndalemi sot te ky personalitet sepse feston 82-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Lekë Koçobashi ka lindur në Tiranë më 21 korrik 1944, pasi i ati punonte atje. Në moshën 4-vjeçare u rikthye në Shkodër së bashku me familjen. Në moshën 15-vjeçare, pikërisht në vitin 1959, zgjodhi t’i përkushtohej futbollit, duke pasur si trajnerë të mirënjohurit Ernest Halepjani, e më pas Zyhdi Bakallin dhe Xhelal Jukën.
Në vitin 1963 kaloi në ekipin e parë të Vllaznisë, ku gjeti futbollistë të tillë si Kol Gjon Belaj, Sadetin Zmijani, Frederik Çapaliku, Xhevdet Basha, Oso Djepaxhia, Jonuz Teli etj., nën drejtimin e trajnerit Tonin Kraja.
Në vitin 1965 ishte fitues i Kupës së Republikës me Vllazninë. Menjëherë pas këtij suksesi, gjatë periudhës së shërbimit ushtarak, luajti me Luftëtarin e Gjirokastrës. Në vitin 1968 u rikthye sërish te Vllaznia, ku do të arrinte suksese të tjera të rëndësishme.
Koçobashi u shpall kampion i Shqipërisë në sezonet 1971–1972 dhe 1973–1974, ndërsa fitoi edhe një tjetër Kupë të Republikës në vitin 1972.
Me katër trofe të fituar me fanellën kuqeblu, në vjeshtën e vitit 1975, në moshën 31-vjeçare, Leka vendosi t’i japë fund karrierës si futbollist. Rastësisht, ai u tërhoq nga futbolli në të njëjtën ditë me Ramazan Rragamin dhe Hajrullah Lekën, tre futbollistë të cilët u nderuan nga drejtuesit e klubit dhe tifozët shkodranë për kontributin e tyre.
Në atë ceremoni lamtumire, Lekë Koçobashi ia dorëzoi fanellën Fatmir Paçramit, një tjetër futbollist shumë i shpejtë, ashtu siç kishte qenë edhe vetë ai gjatë gjithë karrierës së tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


