Shkruar nga Endri ÇINARI
Edhe pse merkatoja verore ka sjellë disa lëvizje në radhët e Vllaznisë, një nga repartet që vazhdon të mbetet prioritet absolut për t’u përforcuar është ai i sulmit. Aktualisht, trajneri Edi Martini ka në dispozicion vetëm Bekim Balajn dhe Perez si alternativat kryesore për vijën e parë, pa llogaritur futbollistët e rinj që mund të afrohen nga ekipet e moshave. Një situatë që, në letër, duket e pamjaftueshme për një skuadër që synon të përballojë një sezon të gjatë dhe konkurrues.
Kjo bëhet edhe më e dukshme duke parë filozofinë e trajnerit Martini. Gjatë ndeshjeve të zhvilluara deri tani, tekniku shkodran ka preferuar në shumicën e rasteve të luajë me dy sulmues të mirëfilltë, një skemë që kërkon jo vetëm cilësi, por edhe alternativa të shumta në stol. Me vetëm dy futbollistë të këtij profili në organikë, çdo mungesë për shkak dëmtimi, pezullimi apo rënie forme do ta vendoste skuadrën në vështirësi të mëdha.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit kuqeblu e kanë kthyer repartin ofensiv në prioritetin kryesor të ditëve të fundit të merkatos. Klubi po punon për të gjetur profile që i përshtaten kërkesave të stafit teknik, me synimin për t’i dhënë Martinit më shumë alternativa dhe një konkurrencë më të madhe në vijën e parë. Një skuadër që synon objektiva të rëndësishëm nuk mund ta përballojë sezonin vetëm me dy sulmues të gatshëm.
Sipas asaj që mësohet, Vllaznia pritet të afrojë edhe një ose dy sulmues të tjerë përpara mbylljes së merkatos verore. Drejtuesit janë të vetëdijshëm se vetëm në këtë mënyrë skuadra do të fitojë më shumë thellësi në organikë dhe do të jetë në gjendje të përballojë ritmin e kampionatit, duke ruajtur konkurrencën e nevojshme në repartin që shpesh vendos fatin e ndeshjeve.
Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për këtë repart, ndërsa te Vllaznia mbetet bindja se merkatoja nuk mund të quhet e mbyllur pa siguruar edhe përforcimet e nevojshme në sulm. Vetëm atëherë kuqeblutë do të mund të konsiderohen me një organikë më të plotë dhe më konkurruese për sezonin e ri.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


