Vllaznia mori një fitore me vlera në javën e parë të Superiores. Kuqeblutë fituan me rezultatin 3-1 kundër Kukësit. Duke i bërë një start të shkëlqyer këtij edicioni. Por kishte edhe nga ata futbollistë shkodranë në këtë raund të parë të Superiores që zhvilluan paraqitje pozitive.

Një prej tyre ishte Ardit Nikaj. Sulmuesi i krahut që aktivizohet prej 3 sezonesh tek ekipi i Skënderbeut. Dhe ky duket se do jetë edicioni i duhur që ai të bëjë shpërthimin përfundimtar. I rikthyer nga një dëmtim që thuajse e mbajti 1 vit larg fushave të blerta, 21-vjeçari duket se kishte ritmin dhe dëshirën e duhur këtë sezon.

Në fitoren që bardhekuqtë arritën në shifrat 0-1 kundër Egnatias, Nikaj e nisi si titullar. Duke treguar tashmë që dëmtimi është thjesht një kujtim i së shkuarës dhe se ai zotëron cilësi që mund ti shërbejnë shumë korçarëve. Shpejtësia dhe aftësia e tij për gjendur në zonën kundërshtare, bënë që numri 11-të të ishte një rrezik konstant për rrogozhinasit.

Kjo deri në minutën e 74-të të takimit ku ai i la vendin Vangjelit në fushë. Por duke marrë menjëherë përgëzimet e trajnerit Gvozdenovic, që duket se beson shumë tek shkodrani. Tashmë është në dorën e Nikajt që ta shfrytëzojë këtë mundësi, ku ai të tregojë vlerat e tij në futbollin shqiptar.
Endri ÇINARI