Quhet Redon Xhixha. Është vetëm 23 vjeç dhe në sezonin e parë te Tirana ka shënuar tetë gola. Tre gola i ka shënuar Dinamos, Partizanit, Teutës, Vllaznisë dhe dy Kukësit. Në të gjithë golat e shënuar ka qenë vendimtar.

Në një intervistë, sulmuesi thotë se është i lumtur që tifozëria i thirri emrin në stadium, teksa pranon se në 90- minutëshin e djeshëm i mungon edhe një gol.

Xhixha, po kaloni një formë të shkëlqyer. Pas golit të Dinamos i keni shënuar dy gola Kukësit…

Është e vërtetë që po kaloj një formë të mirë sportive. Shënova dy gola sot (dje). Shpresoj që të vazhdoj kështu edhe në ardhmen. Tani jeni kthyer në të përkëdhelurin e tifozëve.

Gjithë stadiumi ovacione për ju (Disa tifozë bërtisnin “Xhixha-Xhixha”)…

Kur tifozëria të mbështet, emocioni është i jashtëzakonshëm. Është diçka e madhe kur një stadium të thërret emrin. Të them të drejtën, ndihem mirë. Të bësh një stadium për vete është një emocion i jashtëzakonshëm. Nuk e di se si ta përshkruaj. Jam shumë i lumtur që tifozëria më ka për zemër.

Jeni lojtari kyç i kësaj skuadre që është në vendin e parë?

“Kyçë” jemi të gjithë lojtarët. Po nuk ishim të gjithë në ditën tonë më të mirë. Nuk ka lojtar që veçohet. Jemi 11 vetë në fushë që bëjnë maksimumin dhe askush nuk është mbi të tjerët.

Mund të themi në këtë moment që Tirana ka rival vetëm veten?

Tirana është skuadër cilësore. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu. Nuk mund të them që kemi rival veten. Thjesht ne duhet të marrim më të mirën tonë. Tani duhet t’i marrim ndeshjet një më një. Janë edhe dy faza të tjera ku ne duhet të bëjmë maksimumin e të marrim pikët.

I falët një tjetër gol Kukësit në pjesën e parë?

Realisht u mërzita shumë për atë mundësi. Ishte takimi 0-0 dhe duhet t’i shënoja gol Kukësit në atë moment. Kështu është fati. Ndoshta ishte shkruar që të humbisja një gol dhe të shënoja dy të tjerë. Ndoshta po të shënoja atë gol, mund të mos i shënoja këta dy gola që shënova. /PANORAMA-SPORT/